Një deklaratë e lexuar në televizion nga koloneli Amadou Abdramane tha se “forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë kanë vendosur t’i japin fund regjimit” në Niger.
“Të gjitha institucionet” në vend do të pezullohen “deri në një njoftim të dytë”, do të mbyllen kufijtë dhe do të vendoset shtetrrethimi, njoftoi Abdramane në prani të nëntë ushtarakëve të tjerë me uniformë. Në emër të “Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut” (KNSP), ata përmendën përkeqësimin e situatës së sigurisë, ekonominë e dobët dhe stilin e qeverisjes së Bazumit si arsye të grushtit të shtetit.
Garda presidenciale thuhet se ka arrestuar më parë kreun e shtetit në rezidencën e tij zyrtare në kryeqytetin Niamey. Nga persona të afërm të Bazumit thonë se grushti i shtetit është “i dënuar”.
Sipas raportimeve të mediave, protestuesit u mblodhën në qendër të Niamey për të treguar mbështetjen e tyre për kreun e shtetit. Disa u përpoqën të arrinin në rezidencën zyrtare të presidentit, por u shpërndanë nga të shtënat paralajmëruese nga garda presidenciale, raporton agjencia AFP.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi ashpër “ndryshimin antikushtetues të pushtetit”. Sekretari i Përgjithshëm është “thellësisht i shqetësuar” nga arrestimi i presidentit Bazum, tha zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric.
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken dënoi përpjekjen për grusht shteti dhe bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm të kreut të shtetit”. Komuniteti Ekonomik i Afrikës Perëndimore (ECOWAS) gjithashtu dënoi përpjekjen për grusht shteti dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Bazum. Bashkimi Evropian ndan vlerësimin e ECOWAS, shpjegoi në Twitter kryediplomati i BE-së, Josep Borrell. “Nigeri është një partner i rëndësishëm i Bashkimit Evropian në Sahel, destabilizimi i të cilit nuk do të ishte në interesin e askujt”, shkroi Borrell.
“BE dënon çdo përpjekje për të destabilizuar demokracinë dhe për të minuar stabilitetin e Nigerit,” shkroi Borrell.