Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Ministria e Kulturës dhe Turizmit, nën udhëheqjen e zëvendësministrit Sedat Sulejmani nga VLEN, ka shpërndarë fondet e konkursit të fundit për industrinë kreative, duke akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm dhe favorizim të strukturave partiake.
Sipas BDI-së, drejtori i Qendrës së Skijimit “Popova Shapka”, Abdylgani Aliji – një funksionar i afërt me VLEN – ka përfituar 420 mijë denarë përmes shoqatës “Soleina”, në një akt që cilësohet si keqpërdorim flagrant i fondeve publike.
“Paratë që duhet t’u shërbejnë artistëve të vërtetë po përfundojnë në duart e militantëve partiak. Artistët shqiptarë janë të lënë në harresë, ndërsa rrethi i ngushtë i VLEN-it pasurohet në emër të kulturës,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas të dhënave, nga 15 milion denarë të ndara në total për industrinë kreative, shqiptarëve u janë ndarë vetëm 11%, ndërsa përfituesit kryesorë janë individë të lidhur ngushtë me strukturat e VLEN-it.
BDI e quan këtë një politikë klienteliste dhe korruptive, dhe kërkon që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike të hapin hetim urgjent për këtë konkurs, duke theksuar se ka elementë të qartë të konfliktit interesi dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare.
“Ky nuk është zhvillim kulturor, por pasurim i strukturave partiake. Nuk është përkrahje për artin, por plaçkitje e tij,” përfundon reagimi i ashpër i BDI-së.

