Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, përmes një prononcimi për mediat paralajmëroi përkeqësim të standardit të jetesës së qytetarëve, duke theksuar se për të përballuar shportën sindikale në korrik janë të nevojshme gati 2.7 paga minimale, përcjell PressOnline.al. Ai theksoi se rritja e pagave nuk ndjek ritmin e rritjes së çmimeve, duke thelluar hendekun midis të ardhurave dhe shpenzimeve familjare.
“Vlera e shportës së konsumit sindikal u rrit nga 61,855 denarë në mars në 63,908 denarë në maj, pastaj në qershor arriti në 64,698 denarë dhe në korrik arriti rekord të ri prej 65,328 denarë. Kjo është një rritje prej 3,473 denarësh vetëm për katër muaj, ose më shumë se një e gjysmë pagë minimale. Në të njëjtën kohë, paga mesatare neto u rrit nga 44,763 denarë në mars në 45,796 denarë në maj, një rritje prej vetëm 1,033 denarësh për tre muaj. Hendeku midis të ardhurave dhe shpenzimeve thellohet në mënyrë dramatike,” deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Ai shtoi se kjo situatë po shkatërron drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve: “Dy të punësuar me pagë minimale prej 24,379 denarë në një familje, prapë nuk do të kenë mjaftueshëm mjete për shpenzimet mujore. Sot, për të mbuluar shportën sindikale të korrikut, nevojiten gati 2.7 paga minimale. Kjo do të thotë se edhe familjet me dy të punësuar nuk mund të sigurojnë një jetë dinjitoze.”
Bytyqi paralajmëroi se pa një rritje reale të të ardhurave, fuqia blerëse e qytetarëve do të vazhdojë të bjerë, ndërsa pasiguria ekonomike do të rritet. (PressOnline.al)
