Pas sulmeve rraskapitëse me të cilat po përballet Irani që nga e premtja, regjimi islamik duket se nuk po e kalon lehtë këtë konfrontim me Izraelin. Sipas një interviste të dhënë për Iran Wire, medium që monitoron Iranin nga Holand, një diplomat i lartë tha se regjimi islamik është i gatshëm të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, që është i domosdoshëm për armë bërthamore, përcjell Gazeta Metro.


Në këtë intervistë, diplomati i lartë, i cili u prononcua në kushte anonimoziteti, tha se regjimi i mullahëve është i gatshëm të heqë dorë nga ambicia bërthamore, me kusht që arrin ta shpëtojë fytyrën disi.

“Prioriteti i vërtetë i Udhëheqësit Suprem dhe qeverisë sonë është mbijetesa. Cikli i vazhdueshëm i sulmeve dhe kundërsulmeve midis Izraelit dhe Iranit do të dobësojë në mënyrë të pashmangshme ushtrinë tonë, forcat e sigurisë, ekonominë, moralin publik dhe në fund të fundit, qeverinë”, tha diplomati, i cili i kërkoi mediumit Iran Wire që ta shpërndajë këtë mesazh, jo si diplomat, por si qytetar i shqetësuar.

“Ushtria dhe Garda Revolucionare do ta humbasin në mënyrë të pashmangshme kontrollin e situatës dhe askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Ne nuk duam ta përsërisim gabimin e Sadam Huseinit. Jemi gati të negociojmë”, shtoi diplomati iranian.

Ai insistoi se Irani do ta përdorë energjinë nukleare vetëm për nevoja civile, mirëpo Izraeli është i bindur se regjimi islamik ishte shumë pranë krijimit të armëve bërthamore, andaj edhe sulmoi.

Më tej, ai tha se Ajetullahu është i gatshëm të negociojë me SHBA-në dhe Izraelin, mirëpo i duhet një mënyrë si ta shpëtojë fytyrën, pas sulmeve të njëpasnjëshme që po pëson vendi i tij që nga dita e premte./gazetametro.net