Në muajin mars është ulur ndjeshëm numri i qytetarëve dhe personave juridikë që nuk e pranojnë përgjegjësinë për kundërvajtjet e kryera në komunikacion dhe paraqesin ankesë në gjykatën kompetente për kundërvajtjet e evidentuara përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.
Nga Gjykata Penale, gjithashtu informojnë se çështjet pas ankesave të paraqitura më parë tashmë janë duke u përfunduar.
Në muajin mars 2026, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup janë paraqitur 65 ankesa, përkatësisht kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse para gjykatës, prej të cilave 22 ankesa janë nga persona juridikë dhe 43 ankesa nga persona fizikë.
Nëse bëhet krahasimi me muajin paraprak, në shkurt janë paraqitur gjithsej 476 ankesa, përkatësisht 431 ankesa nga persona juridikë dhe 45 ankesa nga persona fizikë.
Gjithashtu, gjatë muajit mars, nga ankesat e paraqitura – pjesa më e madhe e të cilave tashmë janë në fazë shqyrtimi – me aktgjykim janë përfunduar 92 raste.
Nga Gjykata Penale informojnë se për këto raste veprojnë 16 gjyqtarë nga Departamenti për Kundërvajtje. Të gjitha ankesat e paraqitura regjistrohen me kohë dhe, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Kundërvajtje, brenda afatit të përcaktuar prej 8 ditësh, i dërgohen Ministrisë së Punëve të Brendshme për deklarim, gjë që përbën një parakusht të domosdoshëm për procedimin e mëtejshëm.
Përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, në muajin mars janë konstatuar 26.241 kundërvajtje në komunikacion, që paraqet rritje krahasuar me muajin shkurt, kur janë regjistruar 19.066 kundërvajtje në komunikacion.
Në periudhën nga 01.03.2026 deri më 31.03.2026, nga sistemi “Qyteti i Sigurt” në zonat e qyteteve dhe në korridoret ku janë vendosur kamerat, janë regjistruar gjithsej 26.241 kundërvajtje, informoi dje Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara, për kalim në sinjal të mbyllur (dritë e kuqe) janë konstatuar 70 kundërvajtje, që paraqet një ulje prej 68,2 për qind krahasuar me muajin shkurt. Numri më i madh i kundërvajtjeve është për drejtim të automjetit me shpejtësi më të madhe se e lejuara – 25.230, ndërsa gjatë muajit mars janë regjistruar gjithsej 941 kundërvajtje për drejtim të automjetit me patent shofer të skaduar.
