Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar lidhur me situatën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si të padrejtë ndalimin e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas tij, është absurde që studentët të ndjekin studimet në universitete në gjuhën shqipe, por më pas të mos kenë të drejtë të japin provimin shtetëror në të njëjtën gjuhë.
Ai njofton se studentët e Fakultetit Juridik do të protestojnë nesër në ora 12:30, duke u tubuar fillimisht te Ura e Gurit në Shkup dhe më pas do të marshojnë drejt Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.
Mehmetaj thekson se kjo çështje duhet të ishte zgjidhur nga politikanët shqiptarë në qeveri, duke kritikuar mungesën e angazhimit të tyre dhe duke shtuar se shpesh ata fokusohen vetëm në fushata dhe interesa personale.
Në fund, ai shpreh shpresën që protesta e studentëve të marrë mbështetje të gjerë qytetare, në mënyrë që të dërgohet mesazhi se ata nuk janë vetëm në këtë kauzë.
