Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një standard themelor të barazisë dhe demokracisë.
Në një qëndrim publik, Hoxhaj thekson se e drejta e studentëve shqiptarë për të dhënë provimet në gjuhën shqipe nuk është një kërkesë e re apo privilegj, por një e drejtë bazike që buron nga parimet kushtetuese dhe nga karakteri multietnik i shtetit.
Sipas tij, gjuha shqipe duhet të respektohet plotësisht në arsim dhe në institucionet publike, si pjesë e identitetit dhe realitetit shoqëror në vend. “Barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues”, vlerëson ai.
Hoxhaj shkon më tej duke e konsideruar të papranueshme që përdorimi i shqipes të vihet në diskutim në një shtet që është anëtar i NATO dhe aspiron integrimin në Bashkimi Evropian.
Ai nënvizon se respektimi i të drejtave gjuhësore është një nga kriteret bazë për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe për përparimin drejt integrimit evropian, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me këto standarde.
