Nga Sefer Selimi
Kryeministër, hiqe shqipen dhe zgjidhe problemin!
Në deklaratën e fundit në lidhje me ‘’zgjidhjen’’ për çështjen e studentëve të Kryeministrit, dëshmohet ajo që gjatë gjithë kohës thuhet publikisht: Gjykata Kushtetuese është në shërbim të plotë të agjendës së tij partiake, ashtu siç janë prokuroria, gjykatat, Avokati i Popullit, Kryetari i Parlamentit, Presidenca, Banka Popullore, institucionet tjera ‘’të pavarura’’, partitë shqiptare në pushtet dhe thuajse çdo segment tjetër i shoqërisë.
Kryeministri Mickoski premton që nuk do ta zbatoj Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve por do të gjej një ‘’zgjidhje kreative’’ me ekspertë kushtetues që i shkojnë për shtati dhe me gjasë ku kryefjalën do ta ketë këshilltarja e tij për të drejtat e njeriut, Tanja Karakamisheva.
Në të gjitha arsyetimet e përdorura pse nuk dëshiron ta zbatoj Kushtetutën dhe Ligjin spikat përfundimi, që në fakt është edhe epilogu i gjithë kësaj sage: shfuqizimi (i pjesshëm) i Ligjit për përdorimin e gjuhëve përmes instrumentit të tij partiak, Gjykatës Kushtetuese nën udhëheqjen e Darko Kostadinoskit.
Pra, ‘’zgjidhja kreative’’ e Kryeministrit Mickoski është shfuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe kështu studentët s’kanë pse lodhen e protestojnë. Drejtësi nuk mund të kërkohet e të jepet në shqip.
Është shumë e komplikuar, kushton shumë para, i vonon proceset, ngarkohen gjykatësit, ngatërrohen avokatët, është ftohtë, është shumë herët, do bëhet vonë dhe mund të pjellni sa të doni argumente. Kryesorja, shqip jo. Sepse e prish identitetin e shtetit, atë të ‘’Maqedonisë së Maqedonasve’’.
Kryeministri e di mirë se çka është duke bërë. Strategjinë, qëllimet dhe objektivat i ka bërë të qarta qysh kur ishte në opozitë herë drejtpërdrejtë, e herë tërthorazi. Çështja është çka do të bëjmë ne?
