Në një zhvillim që po ngre shqetësim serioz në opinion, fushata e studentëve në kryeqytet duket se është infiltruar dhe keqpërdorur nga aktivistë partiakë për qëllime të pastra politike. Ajo që nisi si një zë i pavarur studentor, po shndërrohet në një mjet propagandistik në duart e strukturave të organizuara.

Pankartat e vendosura mbrëmjen e sotme, të cilat pretendohet se përfaqësojnë reagimin e studentëve, mbajnë gjuhë dhe mesazhe tipike të diskursit partiak, duke ngritur dyshime të forta për manipulim dhe dirigjim nga prapaskena.

Mesazhe të drejtpërdrejta kundër subjekteve politike, me formulime të sinkronizuara dhe të njëanshme, tregojnë qartë se kauza studentore po përdoret si mbulesë për përplasje politike. Kjo jo vetëm që dëmton besueshmërinë e lëvizjes studentore, por edhe zbeh problemet reale që ata përballen.

Në vend që studentët të mbeten zë i lirë dhe i pavarur, rreziku është që ata të kthehen në vegël të interesave ditore politike, duke humbur autenticitetin dhe fuqinë morale që kanë ndërtuar.