Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dënuar sulmin e bandave të armatosura në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë në pjesën veriore të Kosovës e banuar me shumicë serbe – ku për pasojë ka mbetur i vdekur një zyrtar i Policisë së Kosovës dy të tjerë të lënduar.’
Diplomati sllovak, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen menjëherë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE-ja, derisa ka shtuar se autorët përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave policore kosovare afër Manastirit në Banjskë dhe të cilët i ka ftuar që të dorëzohen te organet e sigurisë dhe situata të përmbyllet në mënyrë të qetë.

