Gjithçka ka shkuar në mënyrë fantastike për “gjigandët” evropianë në përballjet e kupave, me “Djajtë e Kuq” të Mançester Junajtedit dhe “bavarezët” e Bajern Munihut, që kanë arritur të mundin lehtësisht kundërshtarët e tyre në përballjet e kupave.
“Djajtë” e Ten Hag kanë arritur të mundin skuadrën e Kristal Pallasit, teksa në “Old Trafford” kanë mundur të fitojnë me rezultatin e thellë, 3-0.
Sipari i golave u çel nga talenti argjentinas, Alejandro Garnaço në minutën e 21’-të të sfidës dhe vetëm 6 minuta më vonë rezultati dyfishohet nga braziliani Kasemiro. Për të “vulosur” rezultatin 3-0 mendoi “bomberi” francez, Entoni Martial, i cili çoi topin në rrjetë me një goditje fantastike në minutën e 55’-të të sfidës.
Në krahun tjetër, “bavarezët” e Tomas Tushellit kanë mundur skuadrën e Munsterit, me rezultatin e thellë, 0-4. Fitorja u arrit që në fraksionin e parë të lojës, me Çupo-Moting, Laimer e Kratzig, që arritën të shënonin në minutat 9’, 40’ e 45+5’. Ndërkaq, për të vendosur rezultatin 0-4 mendoi Matis Tel, i cili çoi topin në rrjetë në minutën e 86’ të sfidës.

