Praktikat korruptive vazhdojnë të mbeten një nga plagët më të thella të sistemit në vend, duke përfshirë sektorë jetikë si shëndetësia, administrata dhe proceset zgjedhore. Të dhënat më të fundit nga Transparensi International – Maqedoni tregojnë për një seri zhvillimesh shqetësuese gjatë muajit mars, ku qytetarët përballen me kërkesa për ryshfet, mungesë transparence dhe dështime serioze institucionale. Në raportin mujor për monitorimin e rasteve të korrupsionit, organizata evidenton se në sistemin shëndetësor pacientëve u janë kërkuar para apo dhurata për të marrë më shpejt shërbime mjekësore. Në disa raste, situata shkon edhe më tej, duke përfshirë kërkesa për favore të papranueshme nga ana e mjekëve.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, rreth 200 nga 1.240 të anketuar kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit në shëndetësi. Veçanërisht shqetësuese janë rastet kur pacientëve u janë kërkuar edhe shërbime seksuale në këmbim të trajtimit, çka ngre alarmin për degradim të thellë etik në këtë sektor. Raporti hedh dritë edhe mbi mungesën e mbrojtjes për sinjalizuesit e korrupsionit. Vetëm 20 për qind e institucioneve në vend kanë emëruar persona përgjegjës për pranimin e raportimeve nga “sinjalizuesit”. Nga 1.320 institucione, vetëm 270 kanë krijuar mekanizma të tillë, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar janë regjistruar vetëm 27 denoncime. Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kanë arritur vetëm 15 raste nga sinjalizues të jashtëm, një tregues i qartë i mungesës së besimit te sistemi.
Një tjetër dimension problematik lidhet me gjetjet e Enti Shtetëror për Revizion, i cili ka evidentuar parregullsi të shumta në institucione shtetërore. Në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive janë konstatuar pajisje të paevidentuara si dhe mungesë kontrolli mbi prezencën e punonjësve, ku mbi 60 për qind e stafit mbetet i paqartë nëse paraqitet në punë. Po ashtu, janë evidentuar dyshime për keqpërdorim të karburantit dhe mungesë fondesh që arrijnë deri në 25 milionë euro. Problemet nuk ndalen këtu. Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari funksionon pa inspektorë aktivë dhe pa drejtor për vite me radhë, duke e lënë praktikisht sektorin pa mbikëqyrje. Ndërkohë, raporti i revizionit për zgjedhjet e vitit 2024 ka zbuluar shkelje serioze në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, përfshirë ndarje të paligjshme të fondeve për fushata dhe procedura të parregullta të prokurimit publik.
Në mesin e rasteve të dyshimta përfshihet edhe një hetim ndaj drejtorit të Inspektoratit për Bujqësi, i cili dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet prej 50 mijë eurosh, si pjesë e një shume më të madhe të kërkuar nga një biznesmen në sektorin e importit. Megjithatë, raporti i Transparency International përfshin edhe disa zhvillime pozitive. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se do të transmetojë drejtpërdrejt seancat, duke rritur transparencën. Po ashtu, Komisioni Antikorrupsion ka nisur procedura ndaj 234 këshilltarëve komunalë për mos-deklarim të pasurisë.
Ndërkohë, Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të “Higjienës Komunale”, i cili dyshohet se ka mundësuar përfitime të paligjshme prej mbi 68 mijë eurosh për persona fizikë. Të gjitha këto zhvillime tregojnë se korrupsioni mbetet një sfidë sistemike, ndërsa mekanizmat për kontroll dhe ndëshkim vazhdojnë të jenë të dobët ose joefektivë. (koha.mk)
