Mungesa e dhënies së pagave për disa muaj ka bërë që disa të punësuar të ndërpresin punën në çerdhen “Bambi”, pjesë e Kopshtit “Fidani” në Çair. Në mungesë të edukatoreve dhe përkëdhelëseve, fëmijët janë shpërndarë nëpër klasa të tjera, ndërsa stafi me kontrata të përkohshme mbeti i pafuqishëm përballë kësaj situate.
Drejtoresha e çerdhes, Gëzime Bakiu, tha se problemi “veçmë është zgjidhur” dhe pagat për 3 muaj pritet të kompensohen. Megjithatë, ajo pranon se angazhimi i stafit shtesë ka qenë i përkohshëm, duke pritur miratimin nga Ministria e Financave për vendime pune të rregullta, një proces që deri tani është bllokuar.
Nga ana tjetër, Komuna e Çairit, e cila ka përgjegjësi direkte për menaxhimin e institucionit, premton mbështetje financiare, por nuk ka ofruar një zgjidhje të menjëhershme. Kërkesa për transformimin e kontratave të përkohshme në marrëdhënie pune të rregullta është refuzuar, duke lënë punonjësit në pasiguri dhe të ekspozuar ndaj vonesave dhe padrejtësive.
Izet Mexhiti, si përgjegjës për mbikëqyrjen e institucioneve sociale në komunë, mbetet fajtor kryesor për këtë kaos. Ai ka shmangur marrjen e masave konkrete, duke mbuluar dështimin e Komunës me premtime boshe, ndërkohë që punonjësit mbeten pa paga dhe të detyruar të lënë punën e tyre.
Çerdhja “Bambi” u hap në gusht të vitit të kaluar dhe është një nga më të mëdhatë në komunë, me kapacitet rreth 350 fëmijë. Skandali tregon qartë mungesën e përgjegjësisë së Komunës dhe udhëheqjes së saj, duke dëmtuar stafin, fëmijët dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve lokale./ontarget.mk
