Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar përsëri me sulme më të ashpra ndaj infrastrukturës së Iranit, duke shkruar në platformën e tij Truth Social se ushtria amerikane “nuk e ka filluar ende të shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran”.
“Urat e radhës, pastaj termocentralet!” shkroi Trump duke shtuar se “udhëheqja e regjimit të ri e di se çfarë duhet bërë, dhe duhet bërë, SHPEJT!”.
Fillimisht nuk ishte e qartë se çfarë donte të thoshte saktësisht.
Vërejtjet duket se i referoheshin paralajmërimeve të mëparshme të Trump se udhëheqja e Iranit duhej të binte dakord për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës para se të ishte tepër vonë dhe asgjë të mos mbetej nga vendi.
Trump më parë ka kërcënuar me sulme ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës së energjisë elektrike nëse Teherani refuzon një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.
Më herët të enjten, ushtria amerikane bombardoi një urë të rëndësishme autostrade pranë Teheranit.
SHBA-të dhe Izraeli kanë sulmuar Iranin që nga 28 shkurti, ndërsa Irani po kryen sulme hakmarrëse kundër Izraelit dhe vendeve në rajon që kanë një prani ushtarake amerikane.

