Shefi i mafias italiane, Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua në janar pasi i kaloi 30 vjet në arrati, ka vdekur në moshën 61-vjeçare, njoftoi të hënën agjencia e lajmeve, ANSA.

Ai ishte përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij të mos dëshmonte në gjyq kundër mafias. Ai ishte mbajtur peng për dy vjet, pastaj ishte vrarë.

I biri i një mafiozi, Messina Denaro u lind në qytetin jugperëndimor të Sicilisë, Castelvetrano në vitin 1962. Njëlloj si babai i vet, ai iu bashkua mafias herët dhe në moshën 15-vjeçare barte revole. Policia thotë se ai e kreu vrasjen e parë kur ishte vetëm 18 vjeç. Denaro vetë kishte deklaruar më parë se kishte vrarë aq shumë njerëz mjaftueshëm sa për ta mbushur një varrezë.

Ai u fsheh në vitin 1993, pasi shumë pjesëtarë të mafias filluan t’i ofronin policisë hollësi për rolin e tij në mafi, por hetuesit besojnë se ai rrallëherë u largua nga Sicilia. Denaro nuk u martua kurrë, por kishte një numër dashnoresh. Ai shkroi se e kishte një vajzë, të cilën nuk e takoi kurrë. /REL