Dëshmoret Xhevë e Fehmi Ladrovci janë kujtuar në 25 vjetorin e rënies së tyre. Qytetarë e personalitete publike kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në fshatin Gllanasellë të Drenasit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se çifti Xhevë e Fehmi Lladrovci, janë simbol i rezistencës dhe luftës për liri.

“Ata u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së. Brigada 114 e UÇK-së, që drejtohej nga Fehmi Lladrovci, mori një emblemë shtesë, emblemën e komandantit të saj. Aktiviteti i Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit para e gjatë luftës për liri ashtu si dhe rënia e tyre në front, shënon idealet më të larta të popullit shqiptar në Kosovë. Rrëfimi për jetën dhe vdekjen e tyre është një epos lirie. Mirënjohje përjetë, lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi Xhevë e Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Image

Xhevë e Fehmi Lladrovci janë kujtuar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata kanë bërë homazhe te shtatoret e Xhevë e Fehmi Lladrovcit në qytetin e Drenasit.

ImageImage

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Qyiçavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Të enjten e kësaj jave, në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.