Komuna e Drenasit gjatë këtij viti i ka dhënë dy tenderë me vlerë afro 600 mijë euro, Fer-Petrolit me pronar Mehdi Gjokën. Biznesmen ky i cili ishte arrestuar në vitin 2022 nën dyshimet se i ka vjedhur buxhetit të shtetit 600 mijë euro me disa biznese të tjera. Gjoka njihet për afërsinë me kryetarin e kësaj komunë, Ramiz Lladrovcin. I njëjti është një ndër përfituesit më të mëdhenj nga pushteti Lladrovcit. Insajderi sjell detajet.
Nën dyshime për shmangie taksash dhe manipulim me çmime të derivateve ishte vënë në pranga të policisë me 18 mars 2022 biznesmeni nga Drenasi, Mehdi Gjoka.
Komuna nuk është ndalur me dhënien e tenderëve për biznesmenin e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës edhe pas dyshimeve se ka shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit.
Në maj të 2023 Komuna e Drenasit dha dy tenderë për të. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.
Tenderin e parë qe e ka nënshkruar kontratën “Fer-Petrol” me komunën e Drenasit është e datës 30.05 2023, ku vlera e përgjithshme e kontratës është 329 mijë euro.
Pra kjo kompani është shpallur fituese si grup i OE së bashku me kompaninë “N.N.SH World Medium” .
Kontrata ka të bëj me asfaltimin e rrugës Llapushnik, Poterk, Vukovc, Asfaltimi i rrugës në fshatin komorani, ll, lll dhe asfalltimi i rrugës në fshatin Sankoc, Fushticë e Epërme dhe Ulët.

Një ditë më pas u nënshkrua kontrata tjetër, sërish përfitues ‘Fer Petrol’.
Kontrata në vlerë prej 248 mijë euro u dha për asfaltimin e rrugëve në fshatin Verbovc, Shtuticë, Polluzhë dhe Asfaltimi i rrugës në fshatin Terstenik l, ll dhe Gllobar.

Dogana e Kosovës me 18 mars 2022 kishte kontrolluar kompanitë HIB Pertrol, Fer Petrol-in dhe Alfa Trade-in, nën dyshime për shmangie taksash dhe manipulim me çmime të derivateve.
Doganierët kanë gjetur se këto kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë. Derivatet e naftës të parapara për nevojat e ambasadave janë të liruara nga akciza.