Shkruan sdk.mk për ngushticën e Sarajit.

Kur e lexon titullin e komunikatës së VLEN-it: “Saraji hyn në agjendë ndërkombëtare”, të duket sikur partnerët e koalicionit të Qeverisë po lajmërohen direkt nga rrethi i Donald Trumpit për të na gëzuar me ndonjë armëpushim të ri në Lindjen e Mesme. Komunikata nis me konstatimin se “Komuna e Sarajit hyn në një kapitull të ri afirmimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”.

Hajde pra… çfarë u shkoi ndër mend kështu? Sepse komunën e ka vizituar ushtruesja e detyrës ambasadore e SHBA-së, Nicole Varns, gjë që “dëshmon për vëmendjen dhe respektin e shtuar ndaj kësaj komune”. Por kjo nuk është e gjitha. Më herët në Saraj kishte qenë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, me ç’rast, mbaje tani këtë: “Saraji për herë të parë po pozicionohet në agjendën e faktorëve kyç ndërkombëtarë”.

Moree… mos vallë kemi mbyllur sytë për një çast dhe na ka ikur fakti se Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi janë përfshirë aktivisht në negociatat për hapjen e Ngushticës së Hormuzit? Ndërsa kryetari i Sarajit, Muhamet Elmazi, qenka lehtësues në terren i negociatave, i përfshirë drejtpërdrejt nga derdhja e Treskës në Vardar. Sepse, siç thonë në VLEN: “Saraji sot me Muhamet Elmazin tregon se ka kapacitet, vizion dhe përkushtim të jetë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse dhe ndërkombëtare”.

Ose në VLEN nuk jetojnë në këtë planet nëse vërtet besojnë se “Saraji po shndërrohet në pikë referimi për dialog dhe bashkëpunim”. Ose duan t’i dërgojnë mesazh partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE para kongresit të paralajmëruar ku duhet të shndërrohen në parti. Aq shumë pompozitet në një komunikatë vetëm që t’i dërgohet mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së: Amerikanët janë me ne, siç ishin me BDI-në. Edhe BE-ja është me ne. Prandaj, ruhuni nga ne, mos na prekni. Ne jemi BDI-ja e re. Sapo jemi “pikë referimi për dialog dhe bashkëpunim”, është e qartë se ne jemi të preferuarit e rinj të faktorëve ndërkombëtarë.