Asociacioni i Bankave të Maqedonisë njofton se gjatë fundjavës të gjitha bankat do të kryejnë përshtatje teknike të planifikuara në sistemet e tyre, në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e standardeve të reja në qarkullimin e pagesave në denarë, të cilat fillojnë të zbatohen të hënën, më 9 nëntor. Gjatë realizimit të këtyre aktiviteteve, bankat paralajmërojnë ndërprerje të mundshme të përkohshme ose qasje të kufizuar në disa shërbime, veçanërisht në transaksionet e pagesave. Ndërprerjet do të jenë të lidhura me përshtatjet e planifikuara paraprakisht të sistemeve. Siç sqarojnë nga Asociacioni, këto aktivitete vijnë si vazhdim i ndryshimeve të paralajmëruara më herët, të cilat kanë të bëjnë me urdhërpagesat e reja, kodet për qëllimin e pagesës dhe përdorimin e llogarive të pagesave në formatin IBAN.

“Qëllimi i përshtatjeve sistemore është të mundësohet zbatimi i papenguar i këtyre ndryshimeve në përdorimin e përditshëm të shërbimeve të pagesave. Gjatë realizimit të aktiviteteve teknike, bankat paralajmërojnë ndërprerje të mundshme të përkohshme ose qasje të kufizuar në disa shërbime, veçanërisht në transaksionet e pagesave. Koha e saktë e aktiviteteve, shërbimet që do të përfshihen dhe kohëzgjatja e pritshme e kufizimeve do të bëhen të ditura përmes njoftimeve të veçanta të bankave drejtuar klientëve të tyre”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bankave të Maqedonisë.

Nga Asociacioni u bëjnë thirrje qytetarëve dhe kompanive që të ndjekin rregullisht kanalet zyrtare të komunikimit të bankave të tyre dhe, nëse kanë pagesa për të kryer gjatë kësaj periudhe, t’i planifikojnë ato me kohë, në përputhje me informacionet e publikuara. Shoqata thekson se numrat ekzistues të llogarive të pagesave nuk do të ndryshojnë. Përshtatjen e paraqitjes dhe përdorimit të llogarive në formatin IBAN në shërbimet e bankimit elektronik dhe mobil do ta bëjnë vetë bankat.