Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thotë se në Akademinë Ushtarake nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar dhe i kërkon VLEN-it të japë përgjigje për përfaqësimin e premtuar. Sipas BDI-së, kjo është hera e parë që nga themelimi i Akademisë në vitin 1995 që nuk pranohet asnjë kadet shqiptar.

Në reagimin e saj, BDI-ja vë në pikëpyetje ndikimin e VLEN-it në institucionet shtetërore, ndërsa përgjegjëse për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat e konsideron edhe Qeverinë.

“Ky fakt ngre pikëpyetje serioze për rolin dhe ndikimin e VLEN-it në institucionet shtetërore ku përfaqësimi i shqiptarëve duhet të jetë jo vetëm parim deklarativ, por edhe realitet institucional. Por përgjegjësia nuk mund të ndalet vetëm te VLEN-i. Qeveria duhet të kuptojë se mirëbesimi ndërmjet partnerëve politikë nuk ndërtohet përmes deklaratave, por përmes respektimit të barazisë, përfaqësimit dhe marrëveshjeve politike”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Partia e Ali Ahmetit e lidh çështjen e pranimit të kadetëve me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe paralajmëron për pasojat që, sipas saj, raste të tilla kanë në marrëdhëniet ndëretnike.

“Edhe më shqetësues është fakti se raste të tilla e cenojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dobësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe i vënë në pikëpyetje marrëdhëniet ndër-etnike. VLEN-i duhet të japë përgjigje: Ku mbeti përfaqësimi që premtohej?”, thekson BDI-ja.

Në fund të reagimit, BDI-ja thotë se përfaqësimi i shqiptarëve në institucione duhet të respektohet pavarësisht interesave të partnerëve qeveritarë. “Përfaqësimi nuk është privilegj, por parim. Dhe ai nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike!”.