Volejbollistja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Erjona Jonuzi, me kampionen e Sllovakisë, Sllovan Bratislava, janë kualifikuar në fazën kryesore të Challenge Cup.
Ky është një sukses historik për klubin sllovak.
Jonuzi dhe bashkëlojtaret e saj arritën dy fitore ndaj skuadrës malazeze Buduçnosti nga Podgorica, duke siguruar një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira.
Pas fitores bindëse 3:0 në ndeshjen e parë, të zhvilluar në fushën e tyre, volejbollistet e Sllovanit patën shumë më tepër vështirësi në ndeshjen e kthimit në Podgoricë. Ato arritën të triumfonin vetëm pas pesë seteve, me rezultat 3:2 (25:23, 16:25, 16:25, 25:21, 17:15).
Erjona Jonuzi e luajti tërë ndeshjen në Podgoricë dhe kontribuoi me pesë pikë, tri nga sulmi dhe dy nga blloku, duke ndihmuar skuadrën e saj të arrinte këtë sukses historik.
Në fazën e 16 skuadrave, Jonuzi do të përballet me LVI Pragë.
