Lëvizja Studentore Shqiptare ka paralajmëruar zhvillime të reja në lidhje me kërkesën për dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke lënë të kuptohet se mobilizimi i radhës mund të jetë në prag.
Në një njoftim të shkurtër, studentët bëjnë të ditur se është mbajtur një mbledhje organizative për të përcaktuar hapat e ardhshëm, ndërsa detaje konkrete pritet të publikohen në ditët në vijim.
“Sot u mbajt mbledhja organizative rreth hapave të radhës. Së shpejti do të njoftohen të gjithë për veprimet që do të ndërmarrim”, thuhet në njoftimin e nxjerrë nga njëri nga udhëheqësit e studentëve, Mevlan Ademi.
Megjithëse nuk jepen informacione të drejtpërdrejta për natyrën e këtyre veprimeve, toni i njoftimit dhe formulimet e përdorura sugjerojnë se Lëvizja po përgatit një fazë të re të angazhimit, që sigurisht mund të përfshijë rikthimin e protestave.
Në fund të njoftimit, studentët i drejtohen ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, me një mesazh ironik: “Vetëm një gjë mund të them: Fillkov, a të mori malli?”, duke lënë të nënkuptohet se presioni ndaj institucioneve do të vazhdojë.
Kujtojmë se më 6 prill, studentët shqiptarë organizuan një protestë madhështore në Shkup, duke kërkuar që provimi i Jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe mblodhi një numër të konsiderueshëm studentësh dhe qytetarësh, të cilët kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Kjo protestë u vlerësua si një nga mobilizimet më të mëdha studentore të kohëve të fundit. (koha.mk)
