Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe ka kërkuar dorëheqjen e ministritë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raporton Kosova Press. Sipas këtij subjekti politik skena e rrëmbimit të këtyre tre policëve ishte poshtëruese dhe fyese, prandaj kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për lirim sa më të shpejtë të këtyre tre zyrtarëve policorë.
Pas mbledhjes së kryesisë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kryeministri Kurti po rrezikon arritjet e Kosovës. Sipas tij është momenti që qoftë me mocion, apo forma të tjera të ndalohet ai dhe qeverisja e tij.
“Lajm i keq rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga organet e sigurisë së Serbisë ishte fyese dhe poshtëruese skena e kidnapimit të Policisë sonë e përdhosjes së institucioneve tona të uniformës tonë me këtë rast kërkojë që të lirohen menjëherë policët. Lusim bashkësinë ndërkombëtare që të ushtroj presion mbi Serbinë për lirimin e tyre për kthimin në familje dhe kthimin në vend. Dhe që akte të tilla të mos përsëritën më kurrë. E ftojmë ministri Sveçla në përgjegjësi në dorëheqje sepse sot është përdhosur uniforma e institucionit të Policisë së Kosovës…Kurti po e rrezikon rezistencën e Republikës dhe po synon tutje në shkatërrimin e mëtejmë të arriturave deri tash rezultati i kësaj besoj se është koha e duhur që të krijohet një moment dhe përkrahje kritike për ta ndal Kurtin mocioni por edhe çdo formë tjetër mos me lejua mos me i përkeqësuar pasojat në stabilitet dhe marrëdhëniet tona me aleatët tonë të sigurisë“, tha ai.
Lideri i AAK konsideroi se ideja se Kosova ka dalë fitues duke arrestuar kriminelë në veri është mashtrim.
“Ideja se jemi fitues dhe po arrijmë fitore dhe po e shtrijmë rendin dhe ligjin se po arrestojmë kriminelë në veri është mashtrim. Ne do të ishim fitues sikur të validoheshin njësitë e ushtrisë sonë në “Defender 23”…Ne po shkojmë kah dobësimi i fuqisë sonë të brendshme dhe kjo shkak i Kurtit i lus të gjithë që të bashkohemi ta krijojnë masën kritike momentin kritik ta ndalim Kurtin në mënyrë që të ndalim rreziqet e reja dhe pasojat e reja për Kosovën”, u shpreh Haradinaj.
Ish-kryeministri Haradinaj hedh dyshime se me këto veprime Kurti është spiun i Serbisë. Sipas tij, e vetmja mënyrë që kryeministri, Kurti ta rikthej fuqinë e Kosovës është rikthimi i aleancës me Amerikën dhe NATO-në.