Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kanë mirëpritur mbrëmjen e sotme Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim të zhvilluar në atmosferë miqësore dhe vëllazërore.
Sipas njoftimit, në takim kanë marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë dhe miq, ndërsa në fokus të bisedës ka qenë thellimi i bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në rajon, forcimi i lidhjeve institucionale dhe kombëtare, si dhe sfidat e përbashkëta në procesin e integrimit euroatlantik.
Ahmeti ka theksuar se takime të tilla janë dëshmi e rëndësisë së komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet faktorëve politikë shqiptarë, me qëllim avancimin e çështjeve që prekin interesin kombëtar dhe shtetëror.
Në njoftim thuhet se bashkëpunimi rajonal dhe angazhimi i përbashkët mbeten elementë kyç në përballjen me sfidat aktuale dhe në forcimin e pozicionit të shqiptarëve në proceset eurointegruese. (koha.mk)
