Vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut pas incidentit që pati presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, përcjell TV21. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një shkrimi në rrjetet sociale i është drejtuar presidentes dhe qytetarëve, duke kërkuar falje për, siç e quan Ahmeti, skandalin diplomatik.
“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që ti falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë. Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Viçiqin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me rradhë”, ka shkruar Ahmeti.
Reagim ka pasur nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili thotë se rasti në fjalë ka ndodhur pasi ka pasur keqkuptim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, kompanisë TAV dhe sigurimit të presidentes Osmani, dhe se presidentes i është mundësuar udhëtimi pa pengesa.
“Dëshiroj t’ju siguroj të gjithëve se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme dhe Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit të Presidentes është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”, ka shkruar Mexhiti.
