Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kujtuar sot figurën e Arbën Xhaferit, në 13-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në një postim në Facebook, Ahmeti shprehet se mungesa e Xhaferit ndihet njësoj si ditën e parë, duke e cilësuar atë si një bashkëpunëtor të çmuar dhe mik të afërt.

“Gjatë luftës së vitit 2001, kur kombi kishte nevojë për unitet, ai ishte aty për të bashkërenduar veprimet tona. Edhe pas luftës, takimet dhe bashkëpunimi ynë nuk u ndalën. Shpesh më thoshte: ‘Më konsidero si vëlla të madh’. Dhe, ashtu ishte, një vëlla i madh, një mik i urtë dhe një mendje e kthjellët që e donte kombin mbi gjithçka,” ka shkruar Ahmeti.

Ai ka përmbyllur mesazhin e tij me fjalët: “I përjetshëm kujtimi për Arbën Xhaferin.”