Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari- Lila, në një konferencë për media ka thënë se në 8- vjetorin e themelimit të partisë, ka marr vendim që në zgjedhjet lokale të 12.10.2025 do të garojë në gjashtë komuna.
Në të gjashtë këto komuna, sipas saj, Alternativa do të ketë lista për asamble komunale.
“Në tri prej tyre do të kemi kandidatë për kryetarë të Komunave. Alternativa do të garoj me listë për asamble në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut” – ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo ka treguar se po punojnë që të shtrihen edhe në Komunën e Gjilanit dhe atë të Ferizajt.
“Në tri nga Komunat e lartëpërmendura do të kemi kandidatë për kryetarë. Të enjten do të hapim zyrën tonë në Mitrovicë” – ka shtuar Kusari- Lila.
Ajo ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Jugut e mbështesin kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, Faton Pecin, siç e mbështesin Qeverinë për veprimet në veri të vendit.
Më pas, Kusari-Lila ka deklaruar se si parti po punojnë në programin e tyre qeverisës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë caktuar më 12.10.2025.
