Opozitarja shqiptare Alternativa akuzon pushtetin, më konkretisht Aleancën për Shqiptarët se po ushtron presion dhe kërcënon aktivistët e kësaj partie që janë të punësuar në administratë shtetërore. Për këtë do ta njoftojnë edhe Avokatin e Popullit, por edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, njofton Admirim Aliti nga kjo parti.

“Javën që e lamë pas nga kabineti i ministrit të Drejtësisë i paraqiten këshilltarit tonë në Komunën e Tetovës, që është i punësuar në njësinë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë në Tetovë, dhe i thonë se do t’ia transferojmë vendin e punës në qytet tjetër, ndërsa kjo vjen vetëm pasi që ai ka bërë disa shpërndarje të reagimeve të Alternativës kundrejt ministrit të Shëndetësisë, po ashtu eksponent i Aleancës për Shqiptarët”.

Përveçse në administratë, presione dhe paralajmërime për largim nga puna Aliti thotë se ka edhe në shkolla, tek arsimtarët dhe profesorët.

“Ditëve të fundit jemi të informuar se kërcënimi vijon edhe në formë të “informacionit” se do të ketë reduktim të stafit arsimor nëpër shkolla, kjo për shkak të uljes së numri të klasave, dhe se kjo do t’i godasë pikërisht ata arsimtarë që mund të kenë simpati për Alternativën ose të jenë aktivistë të saj”.

Shembuj të këtillë ka pa fund. Kemi dhjetëra aktivistë të Alternativës që përmes kësaj forme të detyrimit zyrtarisht kanë kaluar tashmë në radhët e ASH-së, por vazhdojnë të komunikojnë me ne, shton Aliti. Ndërkaq për këto akuza pyetëm në partinë e Taravarit, por nuk deshën të prononcohen.