E përditshmja spanjolle “Marca” ka zbuluar se Arabia Saudite, që kishte në shënjestër organizimin e botërorit 2030, ka hequr dorë nga organizimi i këitj eventi. Shteti arab do ta organizonte këtë veprimtari bashkë me Greqinë dhe Egjiptin, në një kandidaturë treshe.

– Advertisements –

Sipas mediave, shteti arab ka kuptuar se është në disavantazh ndaj kandidaturës tjetër për organizimin e këtij botërori, asaj të treshes Spanjë-Portugali-Marok. “Marca” sqaron se trioja iberiko-marokene është në avantazh, ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën dhe projekti është në fazë të avancuar.

Tërheqja e Arabisë ka befasuar disi opinionin publik, pasi ky shtet po investon miliona në futboll për të afruar yjet e këtij sporti. Këtë verë, ofertat marramendëse që vijnë nga vendet arabe po pushtojnë mediat botërore, duke patur si qëllim pikërisht forcimin e kandidaturës së Arabisë për botërorin 2030.

Kështu, për momentin, duket se gara për botërorin 2030 do të mbesë mes dy kandidaturave. Përveç kandidaturës Spanjë-Portugali-Marok, pritet që edhe një bashkim amerikano-latin të hyjë së shpejti në garë. Kjo kandidaturë do të përbëhet nga bashkimi i 4 shteteve: Argjentinë, Uruguaj, Kili dhe Paraguaj. Zyrtarizmi i kandidaturës fituese do të bëhet në shtator 2024./alsat.mk