Në orët e para të mëngjesit të sotëm është arrestuar ish-kryetari i Federata e Futbollit e Maqedonisë, Muhamet Sejdini, nën dyshimet për keqpërdorim të mjeteve financiare në vlerë prej rreth 700.000 euro, shkruan KOHA.
Sipas informacioneve fillestare, mjetet në fjalë dyshohet se janë siguruar nga UEFA dhe kanë qenë të destinuara për zhvillimin e futbollit, ndërsa organet e hetuesisë po shqyrtojnë mënyrën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre.
Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për para të destinuara për ndërtimin e një tribune në Ohër, për të cilat ekziston dyshimi se janë shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme.
Aksioni është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Prokuroria Publike.
Jozyrtarisht, bëhet e ditur se drejtuesit e rinj të FFM-së, gjatë marrjes së detyrës, kanë konstatuar parregullsi dhe dyshime për keqpërdorime, pas çka janë dorëzuar kallëzime pranë institucioneve kompetente.
Organet hetimore janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa priten informacione shtesë nga institucionet zyrtare.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Sejdinit përfshihet në procedura hetimore. Menjëherë pas ndryshimit të pushtetit, ai ishte përballur edhe me një akuzë tjetër, e cila, megjithatë, deri më tani nuk ka marrë epilog gjyqësor. (koha.mk)
