Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 10 vjet burgim mësuesin Xh.J. për vrasjen e G.K., babanë e nxënëses së tij, më 18 maj 2021. Vendimin e mori pasi të të pandehurit iu ricilësua vepra penale nga vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi prej 10 vjetësh, Xh.J. do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19 maj 2021.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari gjithashtu është dënuar me 2 mijë euro gjobë për veprën e dytë, ata për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, Xh.J. akuzohet se më 18 maj 2021, në mesditë, në tarracën e një restoranti në Pejë ka sulmuar dhe e ka vrarë mësimdhënësin G.K. nga hakmarrja e paskrupullt.

Sipas Prokurorisë, hakmarrja kishte nisur pasi në fund të dhjetorit të 2019-s, djali i të ndjerit e kishte sulmuar fizikisht të pandehurin (mësimdhënësin), të cilin gjykata e kishte dënuar me tre vjet e gjysmë burgim për sulm seksual të vajzës së të ndjerit. Pasi i pandehuri ishte lënë të mbrohej në liri, sipas Prokurorisë, kishte përcjellë lëvizjet e të ndjerit dhe familjarëve të tij.

Prokuroria ka thënë po ashtu se G.K. ishte njoftuar se i pandehuri po e priste me sëpatë në lokal dhe viktima G.K. kishte lajmëruar e kishte kërkuar mbrojtje nga Policia.

Sipas Prokurorisë, në ditën kritike, G.K. e kishte vënë re të pandehurin ulur afër banesës së tij, në tarracën e lokalit dhe i ishte ulur në tavolinë e i ishte drejtuar me fjalët që të largohej. Pasi i pandehuri Xh.J. nuk ishte larguar, G.K. kishte tentuar të shtinte në drejtim të të pandehurit, por arma i ishte bllokuar.

Pas kësaj, Xh.J. kishte nxjerrë armën dhe e kishte qëlluar 13 herë duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes. Po ashtu ishte rrezikuar jeta e kamerierit që ishte afër viktimës./koha.net