Shkruan: Rami Mislimi
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, po përballet me një izolim të pashembullt diplomatik nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Ageler, në tre vite nuk ka zhvilluar asnjë takim me të dhe nuk ka vizituar asnjëherë qytetin e Tetovës – një fakt që flet shumë për qëndrimin e diplomacisë amerikane ndaj kreut të kësaj komune.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se ambasadorja Ageler nuk ka kërkuar kurrë një takim me Kasamin dhe ka shmangur çdo kontakt publik me të, madje edhe gjatë ceremonisë zyrtare të 4 Korrikut në Shkup, ku ai ishte i pranishëm. Ajo as nuk i është afruar, as nuk ka bërë fotografi me të, duke e lënë të izoluar në një event që përfshinte të gjithë kryetarët e komunave nga vendi.
Izolim i plotë ndërkombëtar
Ky injorim nuk vjen rastësisht. Sipas vëzhgimeve dhe analizave, fjalori cinik dhe sjellja politike e Kasamit ndaj diplomatëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë kanë krijuar një hendek të thellë mosbesimi. Për më tepër, mënyra e funksionimit të Lëvizjes BESA dhe financimi i saj janë kthyer në pikëpyetje të hapura në qarqet diplomatike.
Pas SHBA-së, edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka ndjekur të njëjtën linjë të injorimit ndaj Kasamit. Marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kaluar edhe në përplasje të drejtpërdrejta në nivel diplomatik. Po ashtu, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur ambasadorët e Kosovës, Bullgarisë dhe disa vendeve të tjera.
Tetova e harruar – nga epiqendër në periferi
Ky izolim i hapur diplomatik përbën një dëm të madh për qytetin e Tetovës. Qyteti, që dikur ishte qendër e ngjarjeve ndërkombëtare dhe mikpriste liderë të mëdhenj si Rexhep Taip Erdogan, Stipe Mesiç, Bamir Topi, Sali Berisha, Edi Rama, Tanja Fajon e shumë ambasadorë të huaj, sot është lënë në harresë.
Në vitin 2025, Tetova përballet me boshllëk në zhvillim, turizëm dhe imazh. Ndërkohë që të rinjtë udhëtojnë për një kafe në Ferizaj – një qytet që nga një fshat është kthyer në model zhvillimi – Tetova po rrëshqet drejt një izolimi total, nën drejtimin e një kryetari të akuzuar për paaftësi, arrogancë dhe mungesë vizioni.
Mesazhi i Tetovarëve është i qartë: Tetova nuk është fshat!
Qyteti meriton dinjitet, zhvillim dhe një udhëheqje që ndërton ura me botën, jo mure ndarëse me diplomatët dhe miqtë e popullit shqiptar. Në nëntor, Tetova duhet të zgjohet, të rifitojë reputacionin e saj si qytet europian dhe të lërë pas errësirën politike ku është futur.
