Shkup, 24 Korrik 2025 – Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM), e cila ka shpallur 20 punësime të reja, prej të cilave 19 i përkasin maqedonasve dhe vetëm 1 shqiptar.
Sipas deklaratës së Aleancës, ky është një tjetër shembull flagrant i diskriminimit etnik dhe deshqiptarizimit sistematik të institucioneve shtetërore nga Qeveria aktuale VMRO-VLEN. “Kjo ministri, e formuar pas ardhjes së Qeverisë monoetnike dhe e njohur qysh në fillim si ministri e VMRO-së, vazhdon politikën e përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore,” thuhet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët thekson se situata e njëjtë vërehet edhe në drejtori dhe ministri të tjera, ku shqiptarët dikur kanë qenë të punësuar, ndërsa sot ose nuk janë fare, ose kanë mbetur në përfaqësim simbolik. “Në shumë raste, shqiptarët janë larguar nga puna ose u janë ndërprerë kontratat, duke e çuar më tej diskriminimin institucional,” shton partia në reagimin e saj.
Aleanca bën thirrje për ndërgjegjësim të opinionit publik dhe për veprim të organizuar politik kundër këtyre praktikave që rrezikojnë bashkëjetesën dhe barazinë qytetare në vend.
