Shkup, 22 qershor – Në kohën kur versionet e një draft-ligji të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat po qarkullojnë në media pa transparencë dhe konsultim të gjerë institucional e shoqëror, Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën dhe përmbajtjen e këtij procesi ligjvënës.

ASH i drejton disa pyetje publike dy zëvendëskryeministrave shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, të cilët janë përfshirë në hartimin dhe procedimin e këtij drafti.

“A jeni konsultuar realisht për përmbajtjen e këtij ligji? A e keni parë ndonjëherë versionin që po procedohet në emër të qeverisë ku bëni pjesë? Dhe më e rëndësishmja: A jeni të vetëdijshëm se ky dokument, në formën e publikuar në media, rrezikon të shkojë në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë në shtet?”, pyet partia në një reagim zyrtar.

Sipas ASH-së, materiali i publikuar nga televizioni Alsat-M zbulon dy probleme thelbësore në përmbajtjen e draftit. E para, formulimi i ri për “deklarimin vullnetar të përkatësisë etnike” hap rrugë për keqpërdorime serioze në sistemin e përfaqësimit.

“Ky mekanizëm është dëshmuar si problematik në të kaluarën, duke shërbyer si mjet për manipulim të përbërjes etnike në administratë,” theksohet në kumtesë.

E dyta, është zbrazëtia ligjore që krijohet përmes vonesës në miratimin e akteve nënligjore – të cilat parashikohen të nxirren deri në gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.

“Një vakum i tillë rrezikon të paralizojë zbatimin e ligjit në praktikë, në një kohë kur administrata publike po shfrytëzohet për punësime selektive dhe përfitime politike me baza etnike,” paralajmëron ASH. Partia thekson se në rrethana të tilla, çdo zbrazëti juridike është e papranueshme dhe thellon pabarazitë ekzistuese në shoqëri, duke minuar kohezionin ndëretnik dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

Në këtë kontekst, ASH kërkon rishqyrtim të plotë të draftit të ligjit, përfshirje të ekspertëve të pavarur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe komuniteteve në procesin e reformulimit. Po ashtu, kërkohet që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias vetëm pasi të arrihet një konsensus i brendshëm politik dhe institucional.

Partia u bën thirrje edhe përfaqësuesve të koalicionit opozitar VLEN që të tregojnë “vetëdije politike dhe përgjegjësi,” duke refuzuar çdo dokument që, sipas tyre, është “diktuar nga partnerët qeverisës, përfshirë kryeministrin Mickoski dhe figurat me orientim retrograd si Stojance Angelov, Maksim Dimitrievski dhe Ivan Stoilkoviç”.

“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj dhe as koncesion politik. Ai është një detyrim kushtetues, bazament i bashkëjetesës demokratike dhe funksionimit të barabartë institucional”, thuhet në fund të reagimit.