Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot vizitoi një shtëpi modeste në lagjen rome të Tophanës një lagje që ndodhet në zemër të qytetit, në një nga vendet më të bukura gjeografikisht, por që për vite me radhë ka mbetur e harruar dhe e paurbanizuar.
Osmani u prit me dashuri dhe besim nga banorët, duke theksuar se aty ku mungon infrastruktura, ekziston zemër e madhe dhe solidaritet i komunitetit.
Ai u premtoi banorëve plane serioze për zhvillimin e lagjes dhe bëri të ditur se tashmë ka diskutuar me miq e partnerë në Bruksel, ku ka prezantuar gjendjen e Topaanës. Sipas tij, ekziston interes i madh ndërkombëtar për të ndihmuar këtë komunitet që është keqpërdorur dhe neglizhuar për vite me radhë.
“Ky është momenti kur Çairi duhet të kthejë sytë nga Topaana dhe ta bëjë pjesë të zhvillimit dhe dinjitetit qytetar”, deklaroi Osmani.
