Është publikuar tenderi për ndërtimin e 10,5 kilometrave të autostradës Shkup-Bllacë me të cilin dërgohet ftesë për parakualifikim për kontraktuesin e aktiviteteve sa i takon fazës së dytë.
Thirrja është e hapur deri më 21 gusht të këtij viti.
Thirrja është në dispozicion në faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ku për projektin është siguruar kredi në vlerë prej 167 milionë euro si dhe grant prej 20.8 milionë euro që është në dispozicion përmes Kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Shpallja e fundit tregon se sa me ngadalësi po zhvillohen procedurat për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë vetëm për tender për parakualifikim, që është i hapur deri më 21 gusht. Domethënë nuk bëhet fjalë për tender për fillim të punimeve, që do të thotë se autostrada Shkup-Bllacë do të presë edhe shumë gjatë kohë për të “mirëpritur” veturat e para, e ndoshta nuk do të presë fare këtë ditë, deri sa drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore është Ejup Rrustemi, i cili ka treguar neglizhencë të përgjithshme lidhur me autotradën Shkup-Bllacë.
Autostrada Shkup-Bllacë ka një gjatësi totale prej 12.5 kilometra, ndërsa nga maji 2020 në terren janë duke u zhvilluar aktivitete për fazën e parë në gjatësi prej 2.5 kilometra. Parashtrojmë pyetjen se a i takon përgjegjësia drejtorit Rrustemi që nuk janë mbyllur procedurat e nevojshme për vazhdimin e 10 kilometrave në vijim këto tr evite prej kur ka filluar ndërtimi i 2.5 kilometrave. A është aq me peshë të vogël për Ejup Rrustemin kjo autostradë që ka peshë të madhe për lidhjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën?
Mirëpo nëse ai vazhdon të mbetet në këtë post, përgjegjësia mer edhe karakter politik dhe kalon tek udhëheqësia e partisë e cila e ka emëruar Rrustemin me premtimin se do të punojë për ndërtimin e shpejtë të “arterieve” infrastrukturore në viset shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nevojitet reagim i shpejtë ose andej, ose këndej, deri sa nuk është bë vonë./zhurnal.mk