Avioni luftarak amerikan F-117 Nighthawk, i njohur edhe si “Skifteri i Natës”, i cili u përdor nga Forcat Ajrore të SHBA-së gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe strategjike të ish-Jugosllavisë në vitin 1999, është vendosur për ekspozim në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetari Qëndrim Krasniqi, i cili ndodhet në SHBA, ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje të avionit dhe materialeve informuese që tregojnë historinë e përdorimit të tij gjatë Operacionit “Allied Force”.
Në njërën prej fotografive shihet një tabelë informuese me titullin “Operation Allied Force 1999”, ku përshkruhet ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë dhe sulmet kundër objektivave strategjike të Serbisë.
Sipas informacionit të paraqitur në ekspozitë, më 2 maj 1999, avionët F-117 sulmuan infrastrukturën energjetike të Serbisë, duke përdorur armatim të projektuar posaçërisht për të goditur rrjetin elektrik.
F-117 Nighthawk ishte një prej avionëve më të avancuar ushtarakë të kohës, i projektuar me teknologjinë stealth, e cila e bënte shumë të vështirë zbulimin e tij nga radarët kundërshtarë.
Në fakt, bëhet fjalë për një avion të ekspozuar në Qendrën Steven F. Udvar-Hazy të Muzeut Kombëtar të Hapësirës dhe Aviacionit Smithsonian, në Chantilly të Virginia-s, pranë aeroportit ndërkombëtar Dulles.
