Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj tentativave të pushtetit lokal në Komunën e Tetovës për të përvetësuar meritat për ndërtimin e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Sellcë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rexhepi thekson se ky projekt nuk është rezultat i qeverisjes aktuale komunale, por një proces i gjatë dhe sfidues, i nisur qysh në vitin 2016, kur ai vetë ishte këshilltar komunal.

“Leja e re ndërtimore u sigurua në vitin 2018, ndërsa në vitin 2023, falë përkushtimit të Ministrisë së Arsimit nën drejtimin e Jeton Shaqirit nga BDI, filluan realisht punët ndërtimore,” – shkruan ai.

Ai akuzon udhëheqësinë aktuale komunale për pengesa të qëllimshme gjatë tri viteve të fundit, duke mos zgjatur afatin e lejes ndërtimore pa ndonjë arsye objektive. “E sot, ata dalin para kamerave për të mashtruar qytetarët dhe për të bërë ‘inspektime’ që nuk kanë lidhje me kontribut real,” shtoi Rexhepi.

Sipas tij, nuk është hera e parë që kjo qeverisje lokale përpiqet të marrë lavdi për punët e të tjerëve, duke përmendur projekte si Bulevardi “Blagoja Toska”, kontenjerët gjysmë-nëntokësorë, shëtitorja e lumit Shkumbin dhe revitalizimi i rrugës së butiqeve.

“Për ne në Sellcë, shkolla ‘Rilindja’ është një amanet, një ëndërr për fëmijët tanë. Kjo nuk është propagandë dhe s’mund të përdoret për marketing elektoral,” përfundon reagimin e tij z. Bajram Rexhepi.