Tetovë, 30 Qershor 2025 — Sonte në Tetovë u zhvillua me sukses Kuvendi i IV-të Zgjedhor i Forumit Rinor të BDI-së, Dega Tetovë, një ngjarje e rëndësishme për riorganizimin dhe fuqizimin e zërit rinor brenda strukturave partiake.
Kuvendi shënoi një etapë të re në përfshirjen aktive të të rinjve në jetën politike dhe shoqërore, duke reflektuar përkushtimin e BDI-së për të ndërtuar politika të drejtuara nga brezi i ri.
Kryetar i sapozgjedhur i Forumit Rinor në Tetovë është Art Zylbeari, i cili së bashku me kryesinë e re dhe Komisionin Mbikëqyrës mori urimet e përzemërta nga partia për shëndet, suksese dhe angazhim në realizimin e vizionit politik.
“Rinia është motori dhe fryma e organizatës sonë! Me vendosmëri, kreativitet dhe guxim, të rinjtë tanë do të jenë pjesë aktive në ndërtimin e politikave, ideve dhe veprimeve që sjellin ndryshim të vërtetë në shoqëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të BDI-së.
Ky Kuvend u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të rolit rinor në vendimmarrje dhe në orientimin e politikave zhvillimore në të ardhmen.
