Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtesë ka akuzuar koalicionin VLEN se po tenton të shfuqizojnë ligjin për gjuhën shqipe.
Kjo parti politike në Maqedoni të Veriut, thekson se VLEN në çdo paraqitje mediatike flasin gënjeshtra paturpësisht, në çdo veprim bëjnë gabim.
“Në kaq pak kohë pushtet, Izeti dhe VLEN-i vazhdojnë të rrënojnë çdo të arritur për shqiptarët. Dje, Izeti kërkoi llogari nga BDI se pse e kemi pranuar Ligjin e shqipes kështu siç është?! Izeti e di përgjigjen, sepse vet ai i priu grupit negociator nga BDI me LSDM dhe e ka prezentuar Ligjin në Kryesi të partisë, edhe atë në formë dukshëm më të dobët se sa ligjin që u miratua në vitin 2019. Po atë ligj, Taravari pretendon se ai e ka sjellë, në shumë deklarata publike, edhe pse në Qeveri nuk e ka hapur gojën kur është miratuar ligji”, thuhet në kumtesë.
Sipas BDI-së, ‘Izeti dhe VLEN-i si vazal dhe pa legjitimitet, janë shndërruar tashmë në mbrojtës dhe promotor të denjë të politikave anti-shqiptare të VMRO-DPMNE-së dhe çdo sulm ndaj shqiptarëve mundohen ta relativizojnë dhe ta tërheqin vëmendjen te BDI dhe Fronti Evropian’.
“Kështu ndodhi edhe me emërimin e Stoilkoviqit të Putinit për ministër të Marrëveshjes së Ohrit, heqjen e Balancuesit, ndërprerjen e punimeve në Korridorin 8, me nënçmimin e presidentes së Republikës së Kosovës, me tentimin për ekstradimin në Serbi të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani… e deri me përgatitjen e terrenit për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, thekson BDI.
Shqiptarët, thekson BDI, po poshtërohen dhe nënçmohen nga shërbëtorët e VMRO-DPMNE-së dhe po kthehen 30 vjet pas me të drejtat e tyre si qytetarë të rendit të dytë.