Dy orë para se Afrim Gashi të votohet për kryetar të Kuvendit, tre deputetë të Frontit Europian kanë takuar tre deputetë të VMRO-DPMNE-së për t’i lutur që të hyjnë në Qeveri, pa kryetar Kuvendi dhe me vetëm katër ministri. Këtë në Daily Click e pohoi Arben Taravari nga koalicioni VLEN, tanimë ministër i ri i shëndetësisë. Duke komentuar për ndryshimet kushtetuese, Taravari shprehet se edhe BDI ka pranuar që të njëjtat të realizohen pas një kohe të caktuar. Taravari e di se me cilët deputetë të VMRO-DPMNE-së është takuar Fronti Europian por nuk dëshiron t’i tregojë. Përmendë vetëm dhomën 161.
Këto pohim të Taravarit, Blerim Bexheti nga Fronti Europian i quan shpifje. Mohon të kenë realizuar takim të tillë me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së.
“Tash me shpifje të Taravarit dhe Mexhitit që një herë kanë tre deputetë nga Fronti Europian. Gjitha fjalët që i kanë thënë deri tash, asnjë nuk ka qëndruar, e kanë demantuar vetveten. Nuk konsideroj se opinionit i duhet sqarim shtesë për arsye se jemi të vetëdijshëm se nuk është respektuar legjitimiteti zgjedhor. Kjo Qeveri ka mungesë të legjitimitetit etnik dhe është shumë evidente se duan ta shëndrojnë në defokus se kush është lutur në Qeveri, për tu bërë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Bexheti.