Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me debatet e fundit për statusin e gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut, duke kritikuar ashpër deklaratat e disa figurave politike shqiptare.

Bexheti thekson se sa herë që hapet çështja e statusit të gjuhës shqipe, del në pah një realitet shqetësues, sipas tij, jo vetëm nga ata që historikisht kanë kundërshtuar avancimin e saj, por edhe nga ata që pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët në politikë.

Ai i referohet deklaratave të ish-presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, i cili ka theksuar se shqipja është gjuhë zyrtare dhe se çdo cenim i ligjit për përdorimin e saj mund të krijojë probleme serioze.

Në anën tjetër, sipas Bexhetit, deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare dhe se nuk ekziston ligj për përdorimin e saj, kanë hapur debat të ri politik.

Deputeti i BDI-së përmend gjithashtu edhe reagimet e figurave të tjera politike shqiptare në vend. Ai thekson se Izet Mexhiti ka deklaruar se Kurti “e ka thënë të vërtetën”, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sipas tij, e ka ulur edhe më tej peshën institucionale të gjuhës shqipe duke e quajtur atë “gjuhë të përkthyer”.

Sipas Bexhetit, kjo situatë krijon një ironi politike ku, siç thotë ai, del se gjuhën shqipe po e mbron një ish-president maqedonas, ndërsa disa përfaqësues shqiptarë po relativizojnë statusin e saj.

“Nuk është vetëm mospërputhje politike, por krizë e përfaqësimit politik shqiptar”, shkruan Bexheti, duke shtuar se gjuha shqipe nuk është favor i askujt, as dekor protokollar dhe as “gjuhë e përkthyer”, por një e drejtë e fituar me sakrificë dhe pjesë e dinjitetit dhe barazisë kushtetuese të shqiptarëve.

Në fund të reagimit të tij, Bexheti vlerëson se problemi më i madh për gjuhën shqipe nuk është vetëm kush e sulmon, por edhe kush nuk e mbron, duke akuzuar përfaqësuesit e VLEN-it për relativizim të kësaj çështjeje.