Për vite të tëra, qeveria Kurti i hodhi poshtë akuzat për blerje të energjisë nga kompanitë serbe. Tash njoftoi ndalimin e tregtisë me to. Por deklaratat e dikurshme, shifrat doganore dhe një licencë tregtimi ngrenë një pyetje që Qeveria ende nuk e ka sqaruar: çfarë tregtie po ndalon sot, nëse deri dje këmbëngulte se nuk blinte energji nga këto kompani?
Tri ditë pasi një deputet i Vetëvendosjes e quajti “dezinformatë e pastër” pretendimin për blerje të rrymës nga kompanitë serbe, Qeveria Kurti vendosi të ndalojë tregtinë e energjisë me to.
Më 13 nëntor, nga foltorja e Kuvendit, deputeti Ilir Kërçeli deklaronte: “Këtu disa herë është thënë se po blihet energji nga EFT-ja apo Serbia. Kjo është dezinformatë e pastër.”
Ai këmbëngulte se nuk ishin paraqitur prova që KEDS-i, KESCO-ja apo KEK-u kishin blerë energji nga EFT-ja ose kompanitë serbe gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.
Vetëm tri ditë më vonë, më 16 nëntor, kabineti i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti miratoi ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë me kompanitë serbe.
Masa përfshin edhe tregtimin përmes tranzitit apo rishitjes në shtete të treta.
“Do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri e arsyetoi vendimin me bllokimin, sipas tij, gjashtëvjeçar të linjave ndërkufitare nga Serbia, që pamundëson shfrytëzimin e tyre për tranzitin e energjisë.
Qeveria vendosi gjithashtu ta obligojë KEK-un të sigurojë kapacitete ndërkufitare për dhjetorin dhe Ibër-Lepencin ta shesë energjinë për furnizimin e shërbimit publik.
Arkivi i mohimeve
Deklarata e Kërçelit nuk ishte e vetmja. Prej vitesh, përfaqësuesit e pushtetit kanë kundërshtuar pretendimet për blerje të energjisë nga kompanitë serbe.
Në prill 2022, deputeti Armend Muja shkruante se importi i rrymës nga Serbia “ka qenë zakon gjatë qeverisjes së PDK-së”, duke shtuar: “Me ardhjen e Qeverisë Kurti, Kosova kryesisht nuk blen më rrymë nga Serbia”.
