Shqidona Mazari, bija e heroit të kombit dhe bashkëthemeluesit të UÇK-së, Komandant Struga – Nuri Mazari, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale kundër Adnan Azizit, pas përmendjes së padrejtë të emrit të babait të saj në fushata politike.
Në reagimin e saj, Shqidona shprehet se për 20 vite familja e saj ka përjetuar jo vetëm humbjen tragjike të Nuri Mazarit në vitin 2005, por edhe padrejtësinë e vazhdueshme nga institucionet shtetërore që kanë dështuar të sjellin drejtësi.
Ajo kujton se babai i saj, krahas Ali Ahmetit, ishte themelues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe njeri që i dha shqiptarëve të drejtën për të qenë të barabartë në garën politike në Strugë.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Adnan Azizit, Shqidona Mazari shkruan:
“Zotëri Adnan Azizi, me çfarë të drejte e përdorët këtë emër të shenjtë për kauza të momentit politik? A nuk e dini se idealet nuk janë mall tregu? Se gjaku dhe sakrifica nuk janë slogan elektoral?”
Ajo e quan këtë veprim jo vetëm një padrejtësi, por edhe një abuzim të rëndë me kujtimin e babait të saj, duke e cilësuar të padenjë dhe të turpshme.
Në fund, Shqidona apelon për unitet mes shqiptarëve:
“Mos e bëni dhimbjen armë. Bashkohuni, sepse kur jeni bashkë, jeni më të fortë, më të pathyeshëm, më të respektuar. Kjo është rruga e vetme përpara: rruga e besës, e unitetit dhe e forcës kombëtare.”
