Kandidati për kryetar komune nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Blerant Ramadani, së bashku me kryetarin Iljas Veseli dhe shefin e shtabit komunal Senehat Murtezani, vizituan sot fshatin Bojanë.
Në këtë takim, Ramadani theksoi vlerat historike të fshatit, duke përmendur figurat e shquara si Selim Imeri dhe Selim Bojana, të cilët lanë gjurmë me punën dhe sakrificat e tyre.
Banorët e Bojanës paraqitën kërkesa konkrete për zhvillimin e vendit, mes të cilave:
rregullimi i rrugëve lokale, përmirësimi i ujësjellësit, rikthimi i bashkësisë lokale për t’i dhënë zë çdo banori, ndërtimi i një shkolle të re, ngritja e një salle moderne për aktivitete.
“Bojana gjithmonë ka dëshmuar se çfarë arrihet me vizion dhe guxim. Tani është koha që ëndrra e saj për zhvillim, punësim dhe kushte moderne për çdo familje të bëhet realitet,” u shpreh Ramadani.
Ai premtoi se Aleanca Kombëtare për Integrim do të punojë me përkushtim dhe projekte konkrete për të sjellë ndryshime të prekshme në jetën e banorëve të Bojanës.
