Deputeti Blerim Bexheti, njëherit edhe kordinatori i grupit parlamentar nga Fronti Europian ka dënuar ashpër akuzat se e-mailat kërcënues drejtuar shqiptarëve dhe deputetëve të BDI-së janë dërguar nga vetë pranuesit ashtu siç pretendon Izet Mexhiti.
Bexheti në profilin e tij zyrtar ka shkruar se:
Marrë parasysh situatën e fundit të dërgimit të mesazheve kërcënuese ndaj shqiptarëve në adresë të deputetëve të BDI-së, që përmbajnë një gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime të rënda, duam të shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj deklaratës së fundit të z. Izet Mexhiti. Akuzat e tij se deputetët e BDI-së kanë dërguar vetë këto emaila janë të papranueshme dhe thellësisht çnjerëzore.
Z. Mexhiti, i cili ka mbajtur pozita të larta shtetërore dhe partiake si nënkryetar i BDI-së për 20 vite, para se të largohet dhe të shesë interesat e kombit shqiptar, po përdor një retorikë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Ai po akuzon kolegët me të cilët ka vepruar dhe punuar për dy dekada, duke ngritur dyshime të pabaza dhe të pavërteta. Çfarë lloj njeriu është ai që pas kaq vitesh shërbimi të përbashkët, bën deklarata të tilla të pamatura dhe të dëmshme?
Kjo deklaratë nuk është vetëm politikisht e gabuar, por edhe e dëmshme për harmoninë dhe tolerancën tonë të përbashkët. Në këtë kohë kur shqiptarët përballen me kërcënime, presione të tilla dhe margjinalizim të plotë i ftojmë qytetarët shqiptarë të ruajnë gjakftohësinë dhe të qëndrojmë të bashkuar dhe të mbrojmë të drejtat tona me vendosmëri.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe institucionet që të dënojnë këto akte të urrejtjes, duke u zbardhur e vërteta sa më parë dhe duke marrë dënim përkatës gjithsecili që kërcënon një komb të tërë.
Me respekt,
