Deputeti Blerim Bexheti ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke akuzuar koalicionin VLEN për tradhti ndaj interesave shqiptare dhe për lidhje me qendrat politike serbe.
“Nuk ka më maska! Marrin para nga Beogradi dhe shajnë Tiranën, por Zoti do t’i ndëshkojë, dhe populli nuk do të rrijë duarkryq!”, shkruan Bexheti, duke lëshuar një mesazh të qartë kundër atyre që, sipas tij, veprojnë kundër çështjes kombëtare shqiptare.
Deputeti e cilëson VLEN-in si “vegël të Beogradit” dhe “zë të politikave antikombëtare”, duke e akuzuar drejtpërdrejt për devijim nga interesi kombëtar dhe bashkëpunim me forca që punojnë kundër shqiptarëve.
Në të njëjtin postim, Bexheti ka shprehur edhe mirënjohje për ambasadorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, duke e përgëzuar për “qëndrimin dinjitoz dhe të palëkundur në mbrojtje të çështjes kombëtare”. Sipas tij, ambasadori Mejdani “përfaqëson me krenari zërin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
