Deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të dëmshme për kohezionin shoqëror dhe të ardhmen evropiane të vendit.

“Deklaratat e fundit të Hristijan Mickoskit nuk janë as mbrojtje e identitetit, as patriotizëm. Janë thirrje të rrezikshme që ndezin urrejtje dhe i shërbejnë vetëm një agjende: përçarjes ndëretnike dhe bllokimit të së ardhmes evropiane të vendit,” shkroi Bexheti në një postim në rrjetet sociale.

Ai theksoi se Mickoski po godet vetë konceptin e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke përdorur një gjuhë viktimizuese dhe frikësuese që sipas tij nuk synon ndërtimin, por shkatërrimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Me gjuhën që përdor, ai nuk po sulmon vetëm një ministër, por gjithë konceptin e bashkëjetesës. Kjo nuk është politikë e përgjegjshme, por lojë me zjarrin e përçarjes,” shtoi Bexheti.

Deputeti i Frontit Europian kritikoi gjithashtu ashpër edhe heshtjen e koalicionit VLEN, duke i akuzuar për servilizëm politik dhe për bashkëpunim të heshtur me diskursin përçarës të partnerit të tyre të koalicionit.

“Në vend që të reagojnë ndaj fyerjeve e retorikës përçarëse, ata zgjedhin heshtjen. Me këtë qëndrim ata legjitimojnë një narrativë që rrezikon jo vetëm kohezionin social, por edhe orientimin euroatlantik të shtetit,” tha Bexheti.

Ai përmbylli reagimin e tij me një paralajmërim të qartë: “Kjo nuk është udhëheqje. Është lojë e rrezikshme, dhe ata që e ushqejnë këtë zjarr me fjalë apo me heshtje do të mbajnë përgjegjësi historike për pasojat.”