Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, me ftesë të strukturave të BDI-së – dega në Likovë, mori pjesë në një takim informues me anëtarët dhe përfaqësuesit lokalë të kësaj force politike. Në këtë takim, Bexheti shoqërohej nga deputeti i zonës Sadulla Duraku, kryetari i degës Mirsad Ibrahimi dhe kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia vendimtare e zgjedhjeve të tetorit, të cilat, sipas Bexhetit, nuk janë thjesht zgjedhje të zakonshme, por një referendum politik për të ardhmen e shqiptarëve në vend.

“Këto zgjedhje do të jenë momenti kur qytetarët do të vendosin t’i japin fund politikave antishqiptare dhe degradimit institucional që ka ndodhur gjatë një viti e gjysmë me qeverinë VMRO – VREDI. Është koha për mobilizim të plotë, për unitet dhe për një zë të fuqishëm që mbron të drejtat tona politike dhe institucionale,” deklaroi Bexheti.

Ai gjithashtu falënderoi strukturat e degës së BDI-së në Likovë për pritjen, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në mbështetje të kauzës shqiptare.

🇦🇱 “Bashkë për fundin e padrejtësive dhe rikthimin e dinjitetit shqiptar!” – përfundoi Bexheti.