Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes kontradiktore të koalicionit VLEN lidhur me çështjen e lojërave të fatit. Në një postim në rrjetet sociale, ai akuzon VLEN-in për hipokrizi dhe manipulim të opinionit publik.
“U lodhëm duke i parë si fotografonin çdo kazino, si mbanin konferenca për ‘moralin publik’ e premtonin mbyllje totale të tyre,” shkruan Bexheti, duke nënvizuar se në momentin kur duhej veprim konkret – votimi i Propozim-Ligjit të BDI-së dhe ASH-së për largimin e kazinove afër shkollave – VLEN heshti dhe nuk votoi.
Sipas tij, rezultati është i qartë: në vend të mbylljes, kazinot janë shtuar. Ironikisht, në vend të një lufte të sinqertë kundër tyre, qeveria aktuale ka krijuar një monopol të ri përmes “MegaWin” – kazinoja shtetërore që, sipas Bexhetit, ndodhet nën kontrollin dhe ndikimin e qeveritarëve të VLEN-it.
“Jo më kazinot jashtë kontrollit të tyre, por një super kazino nën kontroll të tyre,” thekson deputeti i BDI-së, duke shtuar se kjo nuk është luftë kundër lojërave të fatit, por përvetësim i tyre.
Ai kujton edhe deklaratën e ministrit Izet Mexhiti më 24 shtator 2024, i cili premtoi se “të martën mbyllet MegaWin”. “Ende s’ka ardhur ajo e martë, edhe pse kanë kaluar 10 muaj,” ironizon Bexheti.
Në përfundim, ai e përmbyll me një mesazh të qartë:
“VLEN nuk i lufton kazinot – ata thjesht duan t’i kenë vetë!”
